Ministri Çollaku flet në LSE në Londër për integrimin Evropian 7 vite pas pavarësisë së Republikës së Kosovës

Ministri Çollaku flet në LSE në Londër për integrimin Evropian 7 vite pas pavarësisë së Republikës së Kosovës

Londër, 25 shkurt 2015 – Sot në Londër Ministri për Integrim Evropian, Z. Bekim Çollaku, pati një diskutim publik në universitetin “London School of Economics and Political Science – LSE” të titulluar “Integrimi Evropian i Kosovës pas shtatë vite pavarësie; Cilat janë hapat e ardhshëm?” Para një publiku të përbërë nga studentë dhe akademik të këtij universiteti prestigjioz, njohës të Ballkanit, dhe gazetarëve. Ministri foli për arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovë në procesin reformues dhe nënvizoi aspiratën e vendit për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Ai theksoi se ky proces në këtë fazë duhet të kurorëzohet me krijimin e një kornize kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës për të thelluar dhe zgjeruar agjendën e integrimit që do të arrihet përmes nënshkrimit dhe pastaj zbatimit të MSA-së. Kjo do të ndikoj në përafrimin institucional por edhe do të ketë ndikim edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ministri gjithashtu theksoi nevojën për liberalizim të shpejtë të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duke u bazuar në punën e bërë për përmbushjen e kritereve të parapara me udhërrëfyes.

Ndër të tjera Ministri tha që: “Nuk ka asnjë dyshim që në këto shtatë vite Kosova ka bërë përparim të dukshëm duke filluar nga konsolidimi i institucioneve, ndërtimi i kapaciteteve, zhvillimi i infrastrukturës,ka mbajtur një rritje ekonomike, ka përfunduar mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe ka siguruar njohje dhe anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare. Kosova gjithashtu ka bërë mjaft progres në zgjerimin e bashkëpunimit edhe me BE-në.” Ndërsa sa i përket hapave të ardhshëm Ministri Çollaku ka folur edhe për nevojën e njohjeve nga pesë vendet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur vendin ende, si hap që nga njëra anë do të përforcon procesin e integrimit por që edhe do të ndikoj në përshpejtimin e procesit reformues dhe rritjes së prosperitetit dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Ai gjithashtu tha që: “Padyshim se Kosova ka potencial të madh për transformim të mëtejmë, dhe se BE duhet të sheh Kosovën si vend për investime, tregti dhe mundësi të biznesit.”

Ministri Çollaku gjithashtu foli edhe për prioritetet e qeverisë në rrafshin ekonomik, të punësimit, luftimin e migrimit të parregullt. Ai gjithashtu ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit.