Ministri Çollaku merr mbështetjen e Danimarkës dhe Finlandës edhe për procesin e liberalizimit të vizave

Prishtinë, 4 nëntor – Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku, priti sot në takime të ndara ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë znj. Anne Huhtamaki si dhe ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, jo rezident për Kosovën, z. Mads Sandau-Jensen.

Duke rikonfirmuar mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të dy ambasadorët kanë përgëzuar ministrin Çollaku për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA),  në mes të Kosovës dhe BE-sësi dhe kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar Kosovën në përmbushjen e reformave që dalin nga kjo marrëveshje.

Ndërkaq ministri Çollaku, i ka falënderuar diplomatët për mbështetjen e vazhdueshme që shtetet e tyre i kanë ofruar dhe po i ofrojnë Kosovës në përgjithësi si dhe për proceset që lidhen me agjendën evropiane me theks të veçantë për  liberalizimin e vizave.

Si udhëheqës i procesit të liberalizimit, ministri Çollaku ka nënvizuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara për liberalizim dhe se me të drejt pritet që deri në fund të këtij viti të merret rekomandimi pozitiv.

Ndërkaq ambasadorja finlandeze znj. Huhtamaki dhe ambasadori danez z.Sandau-Jensen, rikonfirmuan mbështetjen e tyre edhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e organizata të tjera ndërkombëtare.

Gjatë këtyre takimeve po ashtu ministri i ka informuar palët për hapat që po ndërmerren në kuadër të përgatitjeve për zbatim të MSA-së. Ai ka shpjeguar se është duke u përgatitur Programi kombëtar për zbatimin e MSA-së.